NJË TRUNG I LARTË ME KURORË FRESKUESE PËR MANASTIRIN

Shpreh bindjen time të thellë se duke e fuqizuar këtë Departament, ne në fakt po vendosim një shtyllë pranë një fidani që nesër mund të jetë një trung i lartë i ortodoksisë shqiptare me kurorë freskuese për Manastirin dhe gjithë rajonin e Pellagonisë.


Shkruan: Oliver QIRIAZI

Tash e tutje, ne ortodoksët shqiptarë të Manastirit do t’i shtojmë kalendarit të festave tona edhe një festë të re. Tash e tutje do ta memorojmë në kokat tona themelimin e Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, që mban emrin e shenjtë të familjes Qiriazi, si një  festë që bashkon rreth një institucioni energjitë krijuese e hulumtuese, në funksion të njohjes sa më shkencore të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore të rajonit të Pellagonisë.
Unë jam shumë i gëzuar që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore nga Shkupi, i udhëhequr nga drejtori Prof.dr. Skender Asani, e ka futur edhe Manastirin në hartën e përkujdesit institucional, duke i dhënë këtij qyteti dhe gjithë rajonit, një impuls të ri zhvillimi në planin e hulumtimit dhe kërkimit shkencor.
Gëzimi im është i dyfishtë për arsye se emri i këtij Departamenti rajonal këtu në Manastir, pjesë e të cilit do të jem edhe unë, lidhet me paraardhësit e mi, me familjen fisnike shqiptare Qiriazi dhe me gjithë veprimtarinë iluministe që kjo familje e ushtroi dekada me radhë, si në planin arsimor, ashtu edhe në atë kulturor e diplomatik.

Tani kur po e themelojmë këtë Departament, para meje më del një shirit kohe tepër i gjatë, i stërmbushur me ngjarje që i dhanë kulturës dhe historisë sonë disa prej margaritarëve më të çmuar të iluminizmit kulturor e arsimor, siç ishin: Kongresi i Alfabetit, Shkolla e Vashave në Korçë, botimi i librave të para me alfabet të unisuar të Manastirit, aktivitetet lobuese si dhe një varg kontributesh të tjera shumëdimensionale.

Duke qenë bashkëpunues e kooperues me të tjerët,  Departamentit rajonal i trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, do të jetë një pikë referuese mjaft kredibile për sa i përket ndriçimit të së kaluarës materiale e shpirtërore të këtij rajoni. Kjo edhe për faktin se Manastiri, si kryeqendër e një Vilajeti,  historikisht njihet si nyje që lidhte lindjen me perëndimin, si një nyje nëpër të cilën kalonte rruga Egnatia, por edhe si një qendër e rëndësishme e diplomacisë perëndimore, sepse pikërisht nga Manastiri konsujt e ndryshëm raportuan për njerëzit, vendet dhe zhvillimet e këtushme. Si qytet i konsujve, Manastiri e meriton të jetë një qytet prej ku sërish do të aktivizoheshin  reflektorët e dijes dhe kulturës, sidomos në ato fusha ku ka qenë i pamjaftueshëm kujdesi institucional.
Prandaj detyrë e jona si Departament do të ishte që ta rikthejmë Manastirin në dioptrinë e vëzhgimit shkencor, duke i dhënë peshën dhe meritën që ka në histori, por edhe vizionin që duhet ta ketë në të ardhmen.

Nuk ka punë më të shenjtë se vënia e dijes dhe kulturës në funksion të përparimit dhe progresit njerëzor. Jam shumë i bindur se ky do të jetë edhe misioni i Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, një vepër kjo kolosale e ideuar për mrekulli nga drejtori Skender Asani, i cili u tregua tepër kreativ në vitalizmin e jetës kulturore e shkencore me këndvështrime të reja dhe krejtësisht të liruara nga egocentrizmi etno-kulturor. Ju jam mirënjohës z. Asani për besimin që edhe unë të jem pjesë e këtij Departamenti dhe shpreh bindjen time të thellë se duke e fuqizuar këtë Departament, ne në fakt po vendosim një shtyllë pranë një fidani që nesër mund të jetë një trung i lartë i ortodoksisë shqipatre me kurorë freskuese për Manastirin dhe gjithë rajonin e Pellagonisë.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Manastir, 09. 05. 2023

(Autori është pasardhës i familjes Qiriazi dhe pjesë e Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore “Qiriazët” në Manastir)

 

Shikoni gjithashtu

ORIENTIM PROAMERIKAN PARAQET SIGURI, ARDHMËRI DHE PROSPERITET PËR RAJONIN DHE MË GJERË

(Në nderim të  247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës)  Nga Skender …